Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për kërkesat e sindikalistëve: Në shumë shkolla për dy dekada nuk ka pasur as sapunë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në Kuvend ka folur për kërkesat e sindikalistëve për rritje të pagave në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.

Kurti është shprehur se për gjendjen në këto dy fusha, nuk është fajtore vetëm keqqeverisja, por sipas tij të pafajshëm nuk janë as disa kryesinndikalistë.

Kryeministri ka theksuar se për dy dekada nëpër shumë shkolla të Kosovës nuk ka pasur as sapunë.

“Gjendja e rëndë në arsim dhe në shëndetësi, nuk është vetëm pasojë e aparteidit të viteve të 90, nuk është vetëm pasojë e luftës, nuk është vetëm pasojë e keqqeverisjes së mëhershme, por të pafajshëm nuk janë as disa krye sindikalistë. Edhe ata që nuk flasin për të drejtat e punëtorëve, për kushtet e punës, qysh në shumë shkolla tona për dy dekada nuk ka pas as sapunë, e në anën tjetër të vijnë në shprehje me kërkesat për rritje të pagave, natyrisht që duhet të bërë kritikë edhe atyre”, tha Kurti.

“Unë me bindjen e mia socialdemokrate nuk do ta pushoj kritikën ndaj atyre të cilët do duhej të ishin bashkë, por ja që ndodhen në anë e projekte të tjera. Le të mos e përdorim të njëjtën gjuhë dhe vlerësim për ata që nuk janë të njëjtë”, shtoi kryeministri.

Qeveria e Kosovës po përballet me kërkesat nga ana e sindikalistëve të shëndetësisë dhe arsimit për rritje të pagave.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria rritje të pagave për të gjithë punonjësit shëndetësor prej 50 për qind, nëse Ligji për Paga nuk procedohet dhe miratohet me buxhetin e vitit 2022.

Më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor, stafi shëndetësor kanë mbajtur grevë 8-orëshe. Në krye të kësaj greve ishte kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Grevistët po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga. Një kërkesë të tillë e kishte edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, që kishte paralajmëruar protestë më 4 dhjetor, por e kishin anuluar, pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.