Kurti paralajmëron faturë për dëmet miliardëshe që Serbia i shkaktoi në Kosovë, flet Bashkimi Europian

Të shpeshta janë intervistat për media të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje nga e hëna e 7 tetorit. Albin Kurti dhe partia e tij, dolën forca e parë politike në Kosovë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Si kandidat potencial për kryeministër, Albin Kurti u pyet për shumë tema nga mediet vendase e ndërkombëtare. E njëra nga to ishte edhe ajo për të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Siç ka paralajmëruar Kurti, dialogun do ta udhëheq ai ndërsa edhe do bëjë hapin për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë- Hercegovinës. Tarifën, kryetari i LVV-së ka premtuar se do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb.

Duke folur për qasjen ndaj dialogut Kosovë- Serbi në një intervistë në emisionin “Real Story” në News24, Albin Kurti ka përmendur edhe borxhin, sipas tij, që Serbia i ka Kosovës nga lufta e fundit.

“Marrëveshje gjithëpërfshirëse, prej borxhit që na e ka Serbia, edhe të sukcesionit të Jugosllavisë, edhe të reperacioneve të luftës e deri te njohja e Kosovës dhe ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë. Me durim ua kemi shpjeguar të gjithë zyrtarëve (ndërkombëtarë), se për atë marrëveshje që po e kërkojnë me Serbinë, pakrahasimisht duhet të ndryshojë Serbia sesa Kosova”, ka deklaruar Albin Kurti.

Ai ka numëruar të vrarët gjatë luftës, të dhunuarit e të zhdukurit në luftë. Sipas tij, ai në tryezën e bisedimeve do të ulet me një kërkesë për shtetin serb e jo me ndonjë ofertë për marrëveshje.

“Oferta ime për Serbinë është kërkesa e borxhit që na e ka. Pra oferta ime është kërkesë. Do t’ia rendisim 10 mijë civilë të vrarë, 20 mijë gra e vajza të dhunuara, 1 mijë e 500 të pagjetur, 1 mijë e 200 artefakte të plaçkitura, depozitat bankare, fondin pensional edhe degët e ndërmarrjeve tona shoqërore që i kemi nëpër Serbi. Kjo është fatura e Serbisë, minimale. Ndoshta edhe Serbia ka faturë për neve, duhet t’ia shoh por unë nuk e kam ndërmend ta përfaqësoj askënd tjetër përveç Kosovës dhe shqiptarëve, prandaj unë kam kërkesa e jo oferta”, ka thënë tutje lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë, ai tha se do t’i njoftojë edhe ndërkombëtarët ndërsa deklaroi se kërkimin e borxhit ua ka obligim atyre që s’janë më, duke iu referuar viktimave të luftës së fundit.

“Unë mendoj që Serbia na ka borxh dhe unë do ta kërkoj borxhin. Jam kryeministri i parë që zyrtarisht Serbisë do t’ia kërkoj borxhin dhe Brukselit, Uashingtonit, Nju Jorkut, Londrës, Parisit e Berlinit do të ua dërgoj CC kërkesën për të na e kthyer Serbia borxhin. Serbia na ka borxh miliarda, e kemi obligim ndaj dëshmorëve, martirëve, ndaj mbi 1 mijë fëmijëve të vrarë në këtë vend”, tha ai në “Real Story” të News24.

KALLXO.com ka pyetur zëdhënësen e Bashkimit Europian, Maja Kocijançiç, mbi qëndrimin e BE-së mbi idetë e prezantuara të Albin Kurtit lidhur me dëmshpërblimet e luftës në tryezën e bisedimeve Kosovë- Serbi.

Kocijançiç ka thënë shkurt se u takon palëve ta caktojnë agjendën e bisedimeve, pa dashur të jap komente më shumë.

“BE lehtëson dialogun. Përmbajtja, propozimet që vijnë në tryezë dhe rendi i ditës u takojnë palëve”, ka thënë shkurt zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç për KALLXO.com.

E ndaj deklarimeve të Kurtit për faturën e dëmeve ndaj Serbisë, ditë më parë gazeta serbe “Blic” shkroi një artikull të gjatë.

Sipas kësaj gazete, kërkesa për dëmshpërblimin e luftës e përmendur nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në drejtim të Beogradit, është arrogante dhe synim ka ndërprerjen e dialogut ende pa nisur ai.

Madje, gazeta ka prezantuar edhe një shumë prej 22 miliardë eurove si parallogaritje e dëmeve të shkaktuara nga Serbia në Kosovë në luftën e fundit.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht është ndërprerë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe nga Qeveria e Ramush Haradinajt në fund të vitit 2018.