Kurti: Nuk mund ta marr pagën 2,950 euro në këtë vend të varfër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e tij të sotëm për uljen e pagave për kabinetin qeveritar dhe jo atë të sistemit të drejtësisë.

Kurti e ka mohuar të ketë shkelje ligjore në vendimin të cilin gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të u ulen pagat.

“Po të thuhej në ligj se gjyqtarët do të duhej të kenë pagë jo më të lartë, atëherë do t’i binte që me vendim Qeverie po e ndikojmë ose duam ta ndryshojmë ligjin gjë që në rendin demokratik republikan është e pamundur edhe ashtu, me vendim Qeverie nuk ndryshohen ligjet, por meqenëse thuhet që gjyqtaret do t’i kenë pagat jo më të ulëta. Ulja e pagës së kryeministrit dhe kabinetit nuk reflekton tek ata”, tha ai në emisionin “Rubikon” në KTV.

Ai thotë se për këtë është konsultuar edhe me zyrën ligjore të kabinetit të kryeministrit dhe ka marrë opinionin e tyre.

Ndërsa, uljen e pagave të kabinetit qeveritar ai e ka quajtur më shumë ‘efekt etik të brendshëm sesa efekt financiar’.

“Unë nuk e mundem të marr dot rrogën 2,950 euro në këtë vend të varfër, nuk bën kjo. Ajo pagë e tillë ndikon keq edhe në mua”, shtoi ai, duke thënë se të gjitha vendimet e padrejta do të anulohen dhe do të zëvendësohen me vendime të drejta.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që ta shfuqizojë vendimin e Qeverisë së mëparshme të Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar dhe stafin e tyre.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, të parën në të cilën Qeveria Kurti merr vendime, kryeministri Kurti doli me propozimin që pagat të cilat u rritën në qeverisjen e Haradinajt për gati 100% të kthehen në lartësinë e mëparshme.

“Propozoj që të shfuqizohet vendimi i Qeverisë me të cilin janë përcaktuar pagat për nivele të ndryshme. Ato kthehen në lartësinë e mëparshme. Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.

Qeveria ia ul pagat vetes, Kurti thotë se vendimi nuk e prek sistemin e drejtësisë