Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Qeveria ia ul pagat vetes, Kurti thotë se vendimi nuk e prek sistemin e drejtësisë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta shfuqizojë vendimin e qeverisë së mëparshme të Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar dhe stafin e tyre.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, të parën në të cilën qeveria Kurti merr vendime, kryeministri Kurti doli me propozimin që pagat të cilat u rritën në qeverisjen e Haradinajt për gati 100% të kthehen në lartësinë e mëparshme.

“Propozoj që të shfuqizohet vendimi i Qeverisë me të cilin janë përcaktuar pagat për nivele të ndryshme. Ato kthehen në lartësinë e mëparshme. Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.