Kurti: Nuk do të kemi koalicion me Listën Serbe

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë që një ministri në qeverinë e tij do t’i takojë komunitetit serb, por që ai do të preferonte që të mos jetë nga Lista Serbe.

“Të qenit serb është përkatësi kombëtare e jo librezë partie, pra kam dashur që të vë në spikamë faktin që Kushtetuta nuk thotë që do e mos ministri duhet të jetë anëtar i Listës Serbe. Kam theksuar që ne nuk do ta shkelim Kushtetutën por që ne nuk do të bëjmë koalicion me LS, respektojmë obligimin që kemi që një ministër të jetë nga komuniteti serb, do të preferonim që të mos jetë fare i LS”, ka thënë Kurti në një intervistë për Euro News.

Tutje Kurti ka thënë që është i gatshëm të takohet me Listën Serbe  për këtë çështje,  por jo edhe të bëjë koalicion me ta.

“Unë nuk dua të ekskomunikoj LS, unë dua që të takohem me ta dhe të shqyrtoj këtë çështje dhe unë do ta respektoj Kushtetutën edhe sa i përket kësaj çështje, duke mos e ngatërruar koalicionin politik me obligimin kushtetues, koalicion me LS nuk kemi nevojë të bëjmë”, tha ai.

Sipas kryetarit të LVV-së, komuniteti serb në Kosovë nuk duhet të identifikohet më një parti ‘të formuar nga Beogradi’.

Sipas kushtetutës së Kosovës, pakica serbe e Kosovës ka të drejtë të ketë, të paktën, një post ministror në qeverinë e Kosovës. Sipas rezultateve paraprake, Lista Srpska fitoi 52.620 vota, Samostalna Liberalna Stranka (Partia e Pavarur Liberale) mori 1.910 vota, Partija Kosovskih Srba (Partia Serbe e Kosovës) 790 vota, dhe Koalicija Sloboda (Koalicioni Liria) 719 vota.

Kjo do të thotë se partia e vetme serbe që përfaqësohet në parlamentin e Kosovës është Lista Serbe e cila ka mbështetjen nga Beogradi.

Albin Kurti përballet me realitetin e politikës serbe