Albin Kurti përballet me realitetin e politikës serbe

Lideri i mundshëm i qeverisë së ardhshme të Kosovës ka bërë premtime në lidhje me Serbinë dhe serbët e Kosovës të cilat mund ta ketë vështirë t’i mbajë, thonë ekspertët.

 

Kryeministri, potencialisht, i ardhshëm i Kosovës, një majtist, nacionalist dhe antiestablishment, Albin Kurti, po premton një linjë të palëkundur ndaj Serbisë, por edhe një kapitull të ri të marrëdhënieve më të mira me pakicat në Kosovë.

Partia e Kurtit, Vetëvendosje, e themeluar në vitin 2005 si një lëvizje në rrugë për të ngritur zërin për një shkëputje të njëanshme nga Serbia tre vjet para se të ndodhte një gjë e tillë, doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar dhe tani po negocion me partinë që ka dalë e dyta në këto zgjedhje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar një qeveri koalicioni. Raportet mediale në Prishtinë të hënën thanë se bisedimet do të zgjasin edhe 10 ditë të tjera.

Kjo mund ta dëshmojë atë anën e lehtë.

Kurti është zotuar se do t’i rivlerësojë një seri marrëveshjesh të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit ndër vite gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe do ta refuzojë partinë politike serbe që ka mbështetjen nga Beogradi  e cila, në bazë të kushtetutës, ka të drejtën e drejtimit të një ministrie në qeverinë e tij, dhe është në favor të serbëve lokalë që nuk kanë ndërlidhje me Serbinë.

Analistët thonë se të vërtetat e qeverisjes mund t’i bëjnë të dy këto premtime të pamundura për të përmbushur.

“Ky është tani një territor i panjohur sepse disa gjëra thuhen më lehtë kur je në opozitë sesa kur je në pushtet”, tha analisti politik nga Prishtina, Agon Maliqi.

Politikë e paqëndrueshme

Kurti, një ish udhëheqës i protestave studentore në vitet 1990 i cili kaloi më shumë se dy vjet si i burgosur politik në Serbi, ka kohë që avokon një politikë të pa kompromis ndaj Beogradit, që humbi kontrollin e saj mbi Kosovën në vitin 1999 pas një fushate 78-ditore të bombardimeve të NATO-s për të përzënë forcat serbe si rezultat i masakrave dhe dëbimit të civilëve etnikë shqiptarë gjatë një lufte dy-vjeçare.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e shpallur në vitin 2008 dhe, përmes aleatit të saj të fortë, Rusisë, i ka vënë bllokadë Kosovës në rrugën e saj për një ulëse në Kombet e Bashkuara.

Sipas kushtetutës së Kosovës, pakica serbe e Kosovës ka të drejtë të ketë, të paktën, një post ministror në qeverinë e Kosovës. Sipas rezultateve paraprake, Lista Srpska fitoi 52.620 vota, Samostalna Liberalna Stranka (Partia e Pavarur Liberale) mori 1.910 vota, Partija Kosovskih Srba (Partia Serbe e Kosovës) 790 vota, dhe Koalicija Sloboda (Koalicioni Liria) 719 vota.

Kjo do të thotë se partia e vetme serbe që përfaqësohet në parlamentin e Kosovës është Lista Serbe e cila ka mbështetjen nga Beogradi, por Kurti ka thënë se një ministër i etnisë serbe mund të gjendet edhe diku tjetër, një që nuk e ka obligime ndaj Beogradit.

“Ne do ta respektojmë kushtetutën por nuk kemi nevojë për një koalicion me Listën Serbe,” tha Kurti për televizionit TV Prva. “Ne duhet të kemi të paktën një ministër serb.”

Për t’i ndezur edhe më tej spekulimet, më 14 tetor Kurti u takua me Nenad Rashiqin, drejtuesin e Koalicionit Sloboda, i cili mori 719 vota në zgjedhjet e 6 tetorit.

Rashiqi ishte Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale përgjatë dy qeverive me radhë midis viteve 2007 dhe 2014 si dhe deputet në parlamentin e Kosovës ndërmjet viteve 2014 dhe 2017.

Kurti tha se ata diskutuan në lidhje me zgjedhjet, dhe jo për ndonjë koalicion të mundshëm. “Nga ajo që kam dëgjuar nga Rashiq dhe komisionerët ndërkombëtarë, mund të them se ka më shumë demokraci në Kinë sesa në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë,” u tha Kurti gazetarëve. Ai e përshëndeti Rashiqin si “një nga ministrat më të mirë të Kosovës” që nga pavarësia e vitit 2008.

Megjithatë, disa kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e përpjekjes për të anashkaluar Listen Serbe.

Dushan Radakoviq nga Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike, një OJQ me qendër në pjesë, kryesisht, serbe të qytetit të ndarë etnikisht në Veri të Mitrovicës, tha që kushtetuta e Kosovës ishte e qartë që ministri duhet të ketë mbështetjen e deputetëve serbë në parlamentin e Kosovës.

“Nëse ne shikojmë kushtetutën dhe të gjitha ligjet … Lista Serbe duhet të votojë për atë person dhe të japë dritën jeshile – pavarësisht faktit nëse ata ishin apo jo kandidatë në zgjedhje,” tha Radakoviq për BIRN.

“Pastaj përsëri,” tha ai, “duke jetuar dhe punuar këtu gjatë gjithë këtyre viteve, në Kosovë gjithçka është e mundur.”

Agon Maliqi tha se dikush mund të “vërë në dyshim legjitimitetin se si Lista Serbe i fitoi votat e saj”, me sa duket duke aluduar në pretendimet për frikësim të votuesve, por që Kurti ka të ngjarë të rishqyrtojë qëndrimin e tij herët a vonë.

Kryeministri i ri, tha ai, mund të formojë një qeveri dhe të lërë pozicionin e ministrit serb përkohësisht të pa plotësuar, potencialisht derisa Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e saj.

“Personalisht, aq sa do të kisha dëshiruar që përfaqësuesit e tjerë të komunitetit serb të Kosovës të kenë qenë në parlament, nuk mendoj se Kurti mund ose duhet të kapet për këtë qëndrim tijin për shumë kohë,” i tha Maliqi BIRN.

“Ne mund të jemi dakord dhe të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin se si Lista Serbe i fitoi votat e saja, por nga perspektiva ligjore Lista Serbe mbetet përfaqësuesja e vetme e komunitetit serb të Kosovës.”

Ndërkohë që Kurti ka sugjeruar se ai planifikon t’u afrohet serbëve lokalë të cilët nuk janë të lidhur politikisht me Beogradin, tha Maliqi, “ai do të duhet të përballet me realitetin se shumica e serbëve të Kosovës ende nuk i besojnë Prishtinës dhe shikim e tyre e kanë të drejtuar në Beograd”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq “i ka zhveshur në mënyrë efektive serbët e Kosovës nga çdo veprim,” tha ai. “Gjithçka varet nga fakti se sa kapital politik është ai i gatshëm të shpenzojë për të ndërtuar besimin ndaj komunitetit serb të Kosovës.”

Beogradi: “Ekstremist shovinist”

Deklaratat publike të Kurtit kanë shkaktuar reagime të ashpra nga Beogradi, ku i ngarkuari i qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, e përshkroi atë si një “ekstremist shovinist që shkel mbi parimet themelore demokratike, ëndërron të shkatërrojë serbët dhe Serbinë … dhe të një Shqipërie të Madhe dhe një Kosovë të pavarur që kurrë nuk do të bëhet e vërtetë. ”

Vuçiq akuzoi Kurtin se po përpiqej të luante “me demokracinë”.

Kurti vazhdoi tutje  duke shkruar në llogarinë e tij në Twitter më 31 tetor se ai ishte takuar “me të gjithë përfaqësuesit e pakicave që jetojnë në Kosovë”, duke përmendur se Rashiq ishte një përfaqësues serb.

“Takimet janë duke u zhvilluar me të gjithë përfaqësuesit e pakicave që jetojnë në Kosovë, përfshirë minoritetin serb  (Sloboda), minoritetin egjiptias (IRDK), minoritetin turk (KDTP), atë Romë (PREBK) dhe minoritetin boshnjak (VAKAT). Qeveria e re do të jetë e hapur, gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese dhe mezi pres të punoj me të gjithë, ”ka shkruar  Kurti në rrjetin social Tëitter.

Përplasja nuk rëndon shumë për të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, qëllimi i së cilës është një marrëveshje e nënshkruar për të zgjidhur marrëdhëniet e tyre para se edhe njëra edhe tjetra t’i bashkohen bllokut të BE-së.

BE, megjithatë, e ka humbur ndikimin e saj në masë të konisderueshme në lidhje me këtë çështje por edhe ndikimin e saj në Ballkan, në përgjithësi, duke pasur parasysh zbehjen e entuziazmit ndaj bllokut për zgjerim të mëtejshëm.

ShBA e ka bërë  të qartë pozicionin e saj.

“Unë mendoj se ka vend në Kosovë për të dëgjuar shumë zëra të ndryshëm, por në të njëjtën kohë unë mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që të respektohen rezultatet e zgjedhjeve demokratike dhe është plotësisht e qartë që Lista Serbe ka fituar mbështetjen e shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës dhe të drejtën për t’i përfaqësuar ata në qeveri,” tha i dërguari Washingtonit për Ballkanin, Matthew Palmer, gjatë një udhëtimi në Beograd pas udhëtimit që kishte në Prishtinë.

Agon Maliqi tha se dialogu nuk ishte prioritet për Kurtin.

“Aktualisht, gjithçka që ka të bëjë me dialogun duket e paqartë, por jo vetëm për shkak të Kurtit,” tha ai.

“Në javët e para qyshkur zgjedhjet përfunduan, Kurti ka pasur më shumë deklarime me tone pajtuese dhe të një burrështeasi,” i tha ai BIRN.

“Unë personalisht pres që ai të jetë më pragmatik tani kur është në pushtet. Por duket se ai nuk dëshiron që të nxitohet me dialog ose nuk e trajton atë si një prioritet. Duhet kujtuar se shqetësimet kryesore të elektoratit të tij janë gjithashtu sundimi i ligjit dhe ekonomia. ”

Radakoviq tha se kishte një pyetje mbi gatishmërinë e Kurtit për të përmbushur gjithçka që ishte rënë dakord në Bruksel, kryesisht nga presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi. “Apo, a do ta ketë ai një anë të vështirë, një të tillë të cilën edhe votuesit e tij e presin?”, tha ai.