Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut. FOTO: ZKM

Kurti në takim me presidentin Begaj shpreh keqardhje për anulimin e mbledhjes së dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj janë takuar në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut.

Komunikata për media e Zyrës së Kryeministrit ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve ku kreu i ekzekutivit kosovar ka shprehur keqardhjen për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë.

“Kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij për anulimin e njëanshëm të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, me ç’rast u humb mundësia e nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja nga të cilat do të përfitonin qytetarët tanë”- u tha në komunikatën për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut. FOTO: ZKM

Njëkohësisht, Kurti e ka falënderuar Presidentin e Shqipërisë për përkrahjen që ai e ka shprehur ndaj Kosovës gjatë kohës që vendi po kalon me tensionet në veri.

“Ai e falënderoi presidentin Begaj për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për qëndrimin e tij në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, duke e dënuar këtë akt të agresionit dhe duke kërkuar lirim të menjëhershëm të tyre”- është thënë në komunikatë.

Tutje, është bërë e ditur se Kurti e ka njoftuar presidentin Begaj me propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në komunat në veri, teksa ka riktheksuar se sundimi i ligjit duhet të jetë premisa bazë e çdo zgjidhjeve për rrugën përpara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut. FOTO: ZKM

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë pritej që të mërkurën të nënshkruanin rreth 13 ujdi që përfshinin arsimin, sigurinë, shëndetësinë e të tjera fusha.

Por, të martën pas orës 19:00, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeministri shqiptar, Edi Rama dha lajmin se mbledhja mes dy qeverive do të anulohej.

Anulimi i mbledhjes mes dy qeverive ngjalli shumë reagime.

Nga ekzekutivi kosovar u shprehën të zhgënjyer me vendimin e Edi Ramës.

“Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato” – kishte thwnw zëdhënësi i qeverisë kosovare, Përparim Kryeziu.

kryeministri Rama kishte thwnw se ka propozuar që të mbahet një takim në rreth më të ngushtë ku do të përfshiheshin ministrat e punëve të jashtme dhe ata të mbrojtjes.

Ai deklaroi se për këtë nuk ka pasur një dakordim me kryeministrin e Kosovës.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka rrëmbye”, siç thonë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.

Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë.