Kurti në takim me kryesindikalistin, përmend rritjen e pagës minimale në 250 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli për të diskutuar “mbi bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat”.

Siç thuhet në kumtesën e Kryeministrisë, Kurti tha se mbetet i përkushtuar në fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të plotë të Ligjit të Punës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inspektuese. Në takim u bisedua edhe për Ligjin e Pagave dhe pagën minimale.

Sa i përket Ligjit të Pagave, bëhet e ditur se kryeministri Kurti tha se qëllimi primar i tij do të jetë që të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Ne tani po punojmë intensivisht në hartimin e ligjit të ri që do të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave në sektorin publik. Duke e trajtuar me thellësinë dhe kujdesin e nevojshëm, e duke mos u nxituar, ne po tregojmë përgjegjësinë tonë në trajtimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm që ka munguar për tash e 22 vjet”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërkaq, në lidhje me pagën minimale, ai tha se gjatë mandatit të tij, sikurse është zotuar para qytetarëve dhe miratuar në programin qeverisës, ajo do të ngritet në 250 euro.