Kurti në Mynih takohet me kryeministren e Lituanisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Konferencës për Siguri në Mynih, ka takuar sot kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim bilateral është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes së sigurisë.

“ Kryeministri Kurti e falënderoi Lituaninë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe integrimin Euro-Atlantik. Ai pranoi urimet e kryeministres lituaneze me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë” – thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Konferencën për Siguri që po mbahet në Munih të Gjermanisë. Gjatë ditës së djeshme Kurti ka zhvilluar takime të shumta atje, ku është takuar edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.