Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori

Ndonëse ka theksuar se ka vlerësim të lartë për ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai duhet t’i dalë zot popullit që e ka votuar.

“Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori. Duhet ta kuptoni këtë gjë! Mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”- ka thënë Kurti.

Teksa ka shtuar se ka dy vite që bashkëpunon me ambasadorët e QUINT-it, BE e SHBA, Kurti ka deklaruar se nuk pajohen çdoherë për gjithçka.

“Nuk është normale që të pajtohesh çdoherë me gjithçka”- tha Kurti në KTV.

Ndërsa, sa i përket sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti ka thënë se është shqetësuese. Por, sipas tij më shqetësuese janë milicia fashiste në veri.

“Është shqetësuese (çështja e sanksioneve), është brengosëse, por më shqetësuese dhe më brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpeshherë në politikat qeveritarë, në vendimet ekzekutive nuk ke opsione ideale, e shpeshherë as optimale. Pra, vendimet, opsionet ideale janë luks e nganjëherë madje edhe optimale”- ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se beson që ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme duke u arsyetuar se aleatët janë dëgjuar kur është vendosur për t’i shtyrë zgjedhjet e madje edhe për çështjen e betimit të kryetarëve.

Sot, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit më kryeministrin Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur t’ia ndryshojë Kurtit qëndrimin për situatën në veri.

Hovenier ka thënë se diskutimi më Kurtin ka qenë i mirë.

SHBA-ja e sanksionoi Kosovën me përjashtim të FSK-së në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës duke kërkuar që kryetarët e komunave në veri të punojnë në objekte alternative dhe policia të zhvendoset nga ndërtesat komunale.

Që nga e hëna në veri janë duke u mbajtur protesta për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat e komunave veriore.

Të hënën, protestuesit e mbledhur në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, duke lënduar 30, prej tyre 3 janë plagosur me armë zjarri.