Foto: ZKM

Kurti: Miratuam buxhet të zhvillimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka falënderuar deputetët për miratimin e buxhetit për vitin 2022.

Kurti ka premtuar se do të investojë në sektorë të ndryshëm dhe ka thënë se krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet.

“Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu ai ka thënë se ka ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë duke shtuar “kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”.

Kryeministri ka shkruar se do të investohen mbi 700 milionë euro në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri.

Me 65 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. Buxheti i planifikuar për vitin 2022 është 2 miliardë e 748 milionë euro.

Kuvendi miratoi buxhetin për vitin 2022