Qeveria Kurti- Foto:ZKM

Kurti mblodhi kabinetin qeveritar, Kryeziu: Nuk ka të bëjë me zhvillimet e sotme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim me ministrat e tij në kabinetin qeveritar, ndërsa nga Qeveria kanë thënë se kjo mbledhje nuk ka pasur të bëjë me zhvillimet e sotme, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Pas raportimeve për keqpërdorimeve me rezerva shtetërore, në MINT u arrestuan tre zyrtarë nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Ndonëse një takim i tillë nuk është paralajmëruar në agjendën e Zyrës së Kryeministrit, zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu për KALLXO.com ka thënë se në këtë takim është diskutuar ‘mbi mbarëvajtjen e projekteve”.

“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim intern me kabinetin qeveritar, siç ishte planifikuar një javë më parë.  Nuk ka të bëjë me zhvillimet e sotme. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”- ka thënë ai.

Kjo mbledhje e kabinetit qeveritar, vie pas bastisjeve dhe arrestimeve që Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm i bëri në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila drejtohet nga Rozeta Hajdari.

Përveç në ministri, Policia bastisi edhe pronat e pronat e Ridvan Muharremit, i cili edhe u arrestua.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në pranga kanë përfunduar 3 persona të dyshuar, dy zyrtarë të ministrisë si dhe Ridvan Muharremi.

Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’

Kryeministri Kurti sot nuk ka komentuar mbi bastisjet e arrestimet që kanë ndodhur, mirëpo ministrja Rozeta Hajdari ka paralajmëruar një konferencë për media pas këtyre zhvillimeve.

Afera në ministrinë e Rozeta Hajdarit, dërgohen në mbajtje tre të arrestuarit