Kurti: KOSTT fiton të drejta të barabarta me homologët në Europë

Pasi Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Europës votuan pozitivisht marrëveshjen e kyçjes me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës (KOSTT), kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me këtë marrëveshje KOSTT merr obligimet dhe të drejtat e barabarta me Operatorët e tjerë të Europës.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje e re do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe se linja 400Kv mes Kosovës dhe Shqipërisë do të funksionalizohet.

Kurti ka treguar se për ndërtimin e saj ndihmoi e investoi mbi 75 milionë euro Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW, por që prej më shumë se 6 vitesh kjo linjë nuk mund të funksionalizohej.

“Si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT, do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in. Humbjet tona direkte nga mospjesëmarrja në mekanizmat ndërkombëtarë arrijnë deri në 8 milionë euro në vit, përderisa ato indirekte vlerësohen të jenë edhe më të larta”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri në detyrë Kurti ka shtuar se hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, i paraprijnë një sërë aktivitetesh, kryesisht teknike, për të cilat ka besim të plotë se do të përmbushen në një periudhë të shkurtër kohore.

“Kjo paraqet një arritje të madhe për Republikës tonë dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë Operatorët Evropianë që votuan për këtë marrëveshje. Duke shprehur mirënjohje për punën e bërë, presim nga KOSTT përkushtim të plotë në proceset rajonale për të kontribuar në furnizim të sigurt me energji. Po ashtu, KOSTT dhe OST e Shqipërisë tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për operimin si një bllok energjetik, marrëveshje që i parapriu votimit të sotshëm, andaj duhet të pasojnë edhe hapa të tjerë domethënës”, ka përfunduar Kurti.

Lajmin që sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e ka dhënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Kanë kaluar 4 vjet që kur është finalizuar dhe testuar linja interkonektive 400 kilovoltëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, mirëpo ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak të pengesave nga Serbia.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-periudhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT për KALLXO.com.

Autostrada Energjetike është bllokuar për shkak se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013. Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Më herët edhe Ambasada gjermane e ka uruar Kosovën për një marrëveshje të tillë, duke e quajtur moment historik.