QUINT/ FOTO: ZKM

Kurti: Këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it sot pasdite, theksoi rëndësinë dhe nevojën për de-eskalimin e situatës në veri, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi.

Kurti sipas një kumtese të Qeverisë, tha se grafitet “nacionaliste shoviniste serbe” duhet të dënohen ashpër nga të gjithë.

“Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe pjesëtarëve të medieve. Edhe pse në këto grumbullime sot ka edhe protestues paqësorë, kryeministri vlerësoi se këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar”- thuhet në kumtesën e Qeverisë.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë” – vijon komunikata.

Në kumtesë thuhet se ata u dakorduan që të mbajnë komunikim të dendur orëve dhe ditëve në vijim.

Kryeministri Kurti është takuar sot rreth orës 16:00 me ambasadorët e QUINT-it, për situatën në veri.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar për media pas takimit që pati bashkë me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe kryeministrin Albin Kurti.

Hovenier u shpreh i shqetësuar me situatën në veri të vendit dhe tensionet atje.

Ambasadori i SHBA-së tha se kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të marrë hapa për të siguruar situatën atje.

Hovenier tha se kanë marrëveshje që situata duhet të qetësohet por nuk kanë marrëveshje se si të bëhet e njëjta.

“Me kërkesë të kryeministrit Kurti ne sot jemi këtu për të biseduar për situatën në veri dhe për të parë nëse marrëveshja në mes dy vendeve është duke u implementuar”.

Situata në veri – Pamje