Kurti: Kërcënimi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit.

Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga ana e Serbisë, sipas tij, duhet të adresohet.

“Perspektiva euroatlantike duhet të përforcohet. Duke u rreshtuar bashkë me parimet dhe vlerat e NATO-s, ata që dëshirojnë me të vërtetë mund të shfrytëzojnë një mori mundësish. Rrugëtimi drejt integrimit euroatlantik nuk është një rrugëtim që mund të niset vetëm. Besoj që përparimi demokratik nuk duhet të merret i mirëqenë. Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë. Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”- ka thënë Kurti.

Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë në konferencën e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, me temën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se për Republikën e Kosovës dhe popullsinë e saj termi transatlantik është shumë i rëndësishëm.

“Pa funksionimin e transatlantikes do të kishte qenë e vështirë edhe vet liria e Kosovës.

Këto 30 vitet e fundit.. dy kriza të mëdha, dy luftëra të mëdha e argumentojnë rëndësinë transatlantikes dhe se si ajo është esenciale edhe për Evropën edhe për Ballkanin Perëndimor”- ka thënë ai.