Foto: Federata e Futbollit të Kosovës
Kurti e Çeku vizitojnë Kombëtaren e Kosovës
Kurti e Çeku vizitojnë Kombëtaren e Kosovës, i urojnë suksese në dy ndeshjet e radhës
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku vizituan Kombëtaren e Kosovës në futboll 4 ditë para ndeshjes së saj të ardhshme, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024.
Kurti e Çeku falënderuan lojtarët për lojën dhe përkushtimin e tyre duke shprehur mbështetjen e tyre dhe të qeverisë.
“Faleminderit shumë për gjithë këtë kontribut, që nuk është veç sportiv, është edhe popullor, meqenëse, jo vetëm njerëzit që e ndjekin sportin, ju ndjekin juve. Krejt njerëzit që e dojnë Kosovën, ju ndjekin juve” – ishin disa prej fjalëve të Kurtit drejtuar Dardanëve.
Krahas një videoje të vizitës të publikuar nga Kurti në Facebook, shefi i qeverisë ka shkruar se me shumë përkushtim e vendosmëri, në kërkim të fitores së parë, “djelmoshat tanë po përgatiten për dy përballje jo të lehta në këto kualifikime”.
“E keni një shtet të tanë mbrapa, e keni një shoqëri të tanë mbrapa… me gjithë zemër kemi me qenë më juve” – u tha Ministri i Sportit, Çeku, futbollistëve.
Kosova do të përballet me Zvicrën të shtunën, më 9 shtator, ndërsa jetë e ftuar e Rumanisë për ndeshjen e dytë, më 12 shtator.
Kombëtarja e Kosovës tashmë ka publikuar listën e 26 futbollistëve të ftuar, e cila ka disa befasi.