Kurti e ambasadori britanik diskutojnë për rezultatin e mbledhjes së djeshme në KiE

 

Kryeministri Kurti në takim me ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves e ka falënderuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves të cilin e falënderoi për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, rezultati i kësaj mbledhjeje, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit.

Kurti e falënderoi ambasadorin britanik gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Kosovës.

Në takim u bisedua edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes që u zhvillua në Kotor të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim.

Ndryshe, dje (17.05.2024) Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.