Borrell: Vizita e Kurtit në Bruksel, sinjal i qartë i aspiratës evropiane të Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vizita e parë e Kurtit në Bruksel si kryeministër, është sinjal i qartë i aspiratës evropiane të Kosovës.

“Falemindërit kryeministër që e keni zgjedhur Brukselin si udhëtimin e parë si kryeministër, ky është sinjal i qartë i aspiratës evropianë të Kosovës. Shpresoj që kjo vizitë mund të shënojë fillimin e bashkëpunimit tonë intensiv për të përparuar në marrëdhëniet e bashkimit evropian me Kosovën. Kjo është ajo që kemi diskutuar sot, marrëdhëniet tona biletareale, situatat e brendshme në Kosovë, perspektiva për dialogun Beograd-Prishtinë dhe zhvillimet regjionale”, tha ai.

Zyrtari i lartë evropian e përgëzoi për fitoren në zgjedhjen e 14 shkurtit.

“Kur një lider pranon një mandat të fortë nga njerëzit, kjo do të thotë që ata po ju ofrojnë një mundësi të qartë të ndërmerrni rëforma të rëndësishme që do të sjellin Evropën afër standardeve evropiane dhe BE-së. Edhe ne duam ta shohim Kosovën të avancuar drejt rrugës evropiane. Më besoni, Kosova nuk është e vetme në këtë. Ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë në reforma, përfshirë rikuperimin nga pandemia”, tha ai.

Borrell shtoi se rruga evropiane e Kosovës lidhet përmes dialogut, dhe nuk ka alternativë për këtë.

“Ky proces duhet të rifillojë sa më shpejtë”, tha ai, duke shtuar se nuk do që të përmend limite kohore se kur do të jetë takimi i parë në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën nga Brukseli ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin më 11 maj në Bruksel, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrell kishte paralajmëruar se në këtë takim do të rinisë dialogu Kosovë-Serbi.

Por, Kurti kishte thënë se nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në atë takim.