Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Çmimi tavan për naftën ka dhënë rezultate

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se vendosja e çmimit tavan për naftën ka dhënë rezultate teksa paralajmëron masat e reja.

Kurti tha se janë duke gjetur mënyrën “më të mirë” që mos ta shkelin ligjin edhe kushtetutshmërinë.

Ai foli për masën e re për punësimin, në mënyrë që të ketë së paku nga një të punësuar për familje, duke shtuar që të pritet konferenca e paralajmëruar për nesër e ministrit Hekuran Murati.

“Çmimi tavan për naftën ka dhanë rezultate, dhe ne duhet tash prej organeve që i kemi shtetërore e disa janë edhe agjenci të pavarura por edhe prej zyrtarëve dhe ekspertëve që i kemi nëpër ministri tona që ta gjejmë mënyrën më të mirë që edhe mos ta shkelim ligjin edhe kushtetutshmërinë por në anën tjetër të iu dalim në ndihmë sa më shumë qytetarëve. Kemi deficit tregtar si shtet, ne importojmë mallra por edhe importojmë inflacionin, ndërkaq në anën tjetër, duhet të bëjmë çmos që popullsia jonë të jetë sa ma aktive pikërisht duke u punësuar sa më shumë që ne arrijmë të bëjmë këtë gjë”, ka thënë kryeministri Kurti pasi u pyet në një konferencë për media nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje.

Të shtunën, kryeministri Albin Kurti, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve ka thënë se çdo familje në Kosovë do të ketë së paku një të punëuar.

Kurti deklaroi se do të subvencionojnë pagat në masën 70% të pagës bruto, 300 euro maksimumi, për 6 muaj rresht.

“Javën po e përfundojmë me një lajm të mirë, po e nisim skemën e radhës në mbështetje të qytetarëve ‘Qeveria për Familjet’. Në kuadër të masave të punësimit, synojmë të garantojmë që çdo familje në Kosovë ka së paku një anëtar të punësuar. Përmes kësaj skeme ne do subvencionojmë deri në 70% të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro për 6 muaj me radhë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti prezanton masën e qeverisë: Çdo familje së paku një të punësuar (VIDEO)