Kurti bashkë me ministra dhe deputet përkujton dëshmorët e komunës së Prishtinës

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka përkujtuar sot dëshmorët e komunës së Prishtinës.

Duke bërë homazhe bashkë me ministra dhe deputet të partisë së tij tek varrezat e dëshmorëve në kryeqytet, Kurti tha se veçanërisht në ditën e dëshmorëve përkujtohen këta njerëz, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë dhe çlirimin e vendit.

“Kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta, është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet dhe shqiptarëve si komb”, tha Kurti.

Kryeministri tha se si Qeveri asnjëherë nuk do të harrojë se nga kanë ardhur dhe ku duhet të shkojnë.

“Si Qeveri e Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë, pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri, i cili nuk shlyhet kurrë sikurse edhe emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohen kurrë”, tha Kurti.