Kurti: Asnjë i vdekur nga COVID-19 nuk është nga ata që janë vaksinuar

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së sotme ka dhënë detaje në lidhje me vdekjet të cilat kanë ndodhur në Kosovë si pasojë e infektimit të qytetareve me COVID-19.

Ai tha se në Kosovë asnjë person nuk ka vdekur i cili ka qenë i vaksinuar.

“Asnjë të vdekur nuk e kemi nga ata që janë vaksinuar, kemi shumë pak të hospitalizuar nga ata që janë vaksinuar dhe ata po e përballojnë shumë më lehtë, pavarësisht se kemi filluar më së voni me vaksinim për shkak të mungesave që i kemi gjetur edhe për vaksina, por kemi arritur të vaksinojmë një numër të konsiderueshëm të popullatës tonë”, tha Kurti.

Ai shtoi se varianti i ri i COVID-19, pra versioni Delta, po përhapet shumë shpejt.

“Variani Delta është varianti dominues në Kosovë. Është një valë jo progresive por eksplozive. Ashtu siç është parë edhe në botë kjo valë është më dramatike se secila valë tjetër për shkak të përhapjes së shpejtë. Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen”, tha Kurti.

Gjatë ditës së sotme po mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Qeverisë së Kosovës pas numrit rekord të rasteve të infektimit me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit katër persona të prekur me COVID-19 kanë vdekur.

Numri total i vdekjeve që nga koha e fillimit të pandemisë në Kosovës ka shkuar në 2,295 persona.

Gjatë 24 orëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 10,258 testime të realizuara, 2,110 mostra kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.