Foto: Albin Devaja/Facebook

Kryetari i Nëndegës së LDK-së në Gjilan i bashkohet iniciativës së Vjosa Osmanit

Kryetari i nëndegës së LDK-së në Gjilan, Albin Devaja i është bashkuar Vjosa Osmanit në iniciativën e saj të ardhshme politike.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti Haxhi Avdyli

“Meqë ndryshimi i natyrshëm brenda LDK-së, u zëvendësua me diferencim, e ndryshimi në Kosovë u zëvendësua me status quo, aktivistët vullnetmirë si z. Devaja  zgjodhën ndryshimin e vërtetë që po sublimohet përmes Vjosa R. Osmani. Albin Devaja kryetar i nëndegës më të madhe në Gjilan, fuqishëm në përkrahje të konceptit politik të Vjosa Osmanit. Vazhdojmë…”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq, aktivisti Albin Devaja është deklruar rreth vendimit të tij që të përkrahë Osmanin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Unë dhe shumë të tjerë ishim krenarë që në zgjedhjet e fundit kishim një kandidate për kryeministër si Vjosa Osmani, e cila nuk na e theu krenarinë, për të cilat premtime veçse kishim kërkuar votën. Prandaj jam krenarë që jam pjesë e ekipit të zonjës së hekurt siç është Vjosa Osmani. Shihemi në zgjedhje!”, është shprehur ai përmes Facebook.

Ish-nënkryetarja e LDK-së dhe ish-kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re.

Në fillimin e vitit të ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Ndërkaq, pas takimeve me partitë politike, u.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se do të shpallë zgjedhjet pasi që të publikohet aktvendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

LDK, ndarja e tretë