Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i LPRK-së reagon pas lirimit nga pozita të zëvendësministrit të Kulturës

Kryetari i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës (LPRK), Exhan Galushi, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për lirimin nga pozita të zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall.

Në një reagim në Facebook, Galushi ka thënë se vendimi i LPRK-së për largimin nga detyra të Veshallit ka qenë neglizhimi nga ana e tij që të bashkëpunojë me kryesinë e partisë dhe vetë kryetarin.

“Prandaj, një gjë të këtillë, nuk kam mundur ta toleroja në partinë ku vetë jam kryetar i saj, edhe pse pas shumë vërejtjeve që i kam bërë në drejtim të ish zëvendësministrit, z.Sejnur Veshall, por fatkeqësisht të gjitha rezultuan me neglizhim të plotë nga vetë ai, pothuajse pas çdo diskutimi që e kemi pasur tash e disa muaj!”, ka shkruar Galushi.

Sipas kryetarit të LPRK-së, Veshall me veprimet e tij vetë e ka dashur largimin e tij.

Po ashtu, Galushi ka mohuar se për çështje personale, sikur ka thënë Veshall, e ka larguar zëvendësministrin e derisotëm.