Mungesa e përkthimit në Kuvend, deputeti flet për vështirësitë e adresimit të sfidave të komunitetit rom

Erxhan Galushi, deputet nga partia rome në Kuvendin e Kosovës ka thënë se në mungesë të përkthimit, nuk po arrin të adresojë shumë tema për këtë komunitet.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se ka pas neglizhencë në konkurset për angazhim të përkthyesëve romë.

“Si pjesëtar i komunitetit rom dhe si përfaqësues në Kuvendin e Kosovës, nuk po më mundësohet të adresojë shumë tema të ndjeshme që duhet të kuptohen nga të gjithë për arsye të përkthimit, edhe pse kemi bërë kërkesë ta kemi një në Kuvend”, ka thënë ai.

“Ka qenë pak një neglizhim në konkursin publik për përkthyes romë, me këtë qeveri nuk e kam tentu ende për arsye të ndryshme, ky është një lëshim i imi”, shtoi më tej ai.

Galushi potencoi se për herë të parë kanë arritur që përmes Ministrisë së Kulturës të bëjnë shkrime në gjuhën rome.

“Ajo që kemi arritur të bëjmë në këtë mandat është që për herë të parë, përmes Ministrisë së Kulturës kemi arritur të bëjmë shkrime në gjuhën rome për disa ikona të këtij komuniteti dhe urime për data historike të këtij komuniteti”, ka thënë deputeti Galushi.

Sonte në Emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet debati për edukimin në gjuhën amtare.