Foto: Facebook/Policia e Kosovës.

Kryetari i Këshillit të Prindërve: Vetëm disa brisqe u janë gjetur nxënësve në Ferizaj

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi i ka quajtur jo të drejta raportimet e mediave, rreth njoftimit të Policisë së Kosovës për konfiskimin e armëve të ndryshme pas kontrollit të nxënësve dhe disa lokacioneve të tjera në dhe afër shkollave në Ferizaj.

Demi, përmes Facebook-ut ka thënë se vetëm disa brisqe u janë gjetur nxënësve.

“Për informim, raportimi i sotëm nga mediat për mjetet e rrezikshme dhe armët e gjetura në Ferizaj (nga Policia e Kosovës) është i pasaktë dhe jo i drejtë. 1. Ato armë dhe materiale nuk janë gjetur tek nxënësit (vetëm disa brisqe u janë gjetur nxënësve). 2. Ato armë dhe materiale (përveç brisqeve) nuk janë gjetur në shkolla (por tek persona të rritur e me profil të dyshimtë në objekte jashtë perimetrit të shkollave)”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas Demit, “ato armë dhe materiale nuk janë gjetur në një aksion të vetëm, por janë grumbulluar prej muajit shkurt e deri më tani”.

“Kjo nuk do të thotë që nuk është shqetësues lajmi, por e vërteta ndryshon shumë nga raportimi”, ka theksuar ai.

Policia e Kosovës ka konfiskuar “koleksion armësh”, si pistoleta, pushkë, thika e drogë gjatë një operacioni në afërsi të shkollave në Ferizaj.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve në koordinim më Drejtorinë e Arsimit të komunës së Ferizajt dhe nën autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt , mbi bazën e disa informacioneve që ka pranuar rreth dukurive negative të nxënësve dhe personave tjerë në shkolla dhe përreth tyre, që në fillim të muajit shkurt 2022 kishte nisur një aksion i koduar ‘Siguria në shkolla 2022’”, njoftoi mes tjerash Policia.

Komuna e Ferizajt ka reaguar, duke paralajmëruar se nga 1 shtatori, objektet shkollore do të mbikëqyren nga kompani të specializuara të sigurimit fizik.