Kryetari i Kamenicës paralajmëron suspendimin e zyrtarëve komunalë të arrestuar sot

Katër persona janë arrestuar në Kamenicë nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në lidhje me një tender në vlerë 35 mijë euro për furnizim me dollapë në tetë shkolla.

Policia ka njoftuar se tre anëtarë të komisionit vlerësues të Komunës së Kamenicës kishin nënshkruar raportin e pranimit të mallit pa e pranuar realisht atë.

Anipse mallin nuk e kishte dërguar, kompania kishte marrë paratë.

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmes një konference për media ka thënë se nesër do të iniciojë procedura disiplinore dhe do të suspendojë zyrtarët komunalë të përfshirë në këtë rast.

Rahimaj tha se ka pasur ndërhyrje në raportin e pranimit të dollapëve.

“Bëhet fjalë për një tender për furnizim me dollapë në shkolla në vlerë rreth 35 mijë euro. Në bazë të asaj që kemi hulumtuar dollapët nuk kanë qenë në shkolla, këtë e kanë konfirmuar edhe drejtorët e shkollave. Më 27 janar ne kemi bërë një kërkesë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Nesër në mëngjes do të marrim të gjitha masat ligjore disiplinore dhe suspendoj zyrtarët komunalë të përfshirë në rast”, tha ai.

 

Arrestimet në Kamenicë, zyrtarët nënshkruan se e pranuan mallin pa e pranuar, kompania mori paratë e nuk dërgoi inventarin në shkolla