Kryesia e PDK-së me 8 anëtarë që nuk fituan vota për deputetë

Partia Demokratike e Kosovës sot ka zgjedhur anëtarët e Kryesisë, dhe në mesin e tyre ka të tillë që dështuan të siguronin vota për t’u zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në mesin e 25 anëtarëve të Kryesisë së PDK-së, 8 kishin kandiduar për deputetë por nuk ia kishin dalë të merrnin besimin e qytetarëve për ulëse në Kuvend.

Anëtarët që u zgjodhën sot në Kryesi por nuk fituan votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë janë: Xhavit Haliti, Safete Hadërgjonaj, Ilir Kurtishi, Donjet Bislimi, Migjen Kelmendi, Shaqir Totaj, Fehmi Mujota dhe Luljeta Veselaj-Gutaj.

Xhavit Haliti në zgjedhjet e fundit sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së ka marrë 8 mijë e 301 vota.

Safete Hadërgjonaj, e cila ishte deputete në legjislaturën e kaluar, në këto zgjedhje ka marrë 4 mijë e 479 vota.

Pjesë e kryesisë së PDK-së sot është zgjedhur edhe Ilir Kurtishi, po ashtu kandidat për deputet, i cili ka marrë 8 mijë e 636 vota dhe s’ka mundur të fitojë ulëse në Kuvend.

Edhe Donjet Bislimi është anëtar i Kryesisë së PDK-së. Ai si kandidat për deputet nuk mundi të fitojë ulëse me 7 mijë e 723 vota.

Anëtari i ri i PDK-së, Migjen Kelmendi, është bërë pjesë e Kryesisë. Por as ky nuk mori shumë vota në zgjedhjet e 6 tetorit që të bëhet deputet. Ai në këto zgjedhje pati vetëm 2 mijë e 687 vota.

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga kjo parti në zgjedhjet komunale të vitit 2017, Shaqir Totaj po ashtu u zgjodh sot anëtar i Kryesisë së PDK-së por nuk fitoi ulëse në Kuvend. Ai ka marrë 7 mijë e 949 vota.

Më pak vota se Totaj pati bashkëpartiaku i tij si kandidat për deputet, Fehmi Mujota, me 3 mijë e 636 vota, por u bë pjesë e Kryesisë së PDK-së sot.

Ish-deputetja Luljeta Veselaj Gutaj nuk u zgjodh përsëri deputete e kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, ku mori 3 mijë e 440 vota, por është pjesë e Kryesisë së PDK-së.

Kurse 25 anëtarët e Kryesisë së PDK-së janë: Kadri Veseli, Abelard Tahiri, Bajrush Xhemaili, Bedri Hamza, Betim Gjoshi, Blerta Deliu, Donjet Bislimi, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu, Fehmi Mujota, Floretë Zejnullahu, Hajredin Kuçi, Ilir Kurtishi, Luljeta Veseli-Gutaj, Memli Krasniqi, Migjen Kelmendi, Muzafer Shala, Safete Hadërgjonaj, Sami Lushtaku, Shaqir Totaj, Uran Ismaili, Valdete Idrizi, dhe Xhavit Haliti.

Kurse deputetët e PDK-së në Kuvend janë: Kadri Veselil, Uran Ismaili, Mergim Lushtaku, Ferat Shala, Elmi Reçica, Bedri Hamza, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi, Bajrush Xhemajli, Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Hajredin Kuçi, Bekim Haxhiu, Sejdi Hoxha, Fatmir Xhelili, Eliza Hoxha, Gazmend Bytyçi, Fadil Nura, Ariana Musliu- Shoshi, Ganimete Musliu, Evgjeni Thaçi, Blerta Deliu- Kodra, Besa Ismaili- Hoxha, Floretë Zejnullahu, Valdete Idrizi.

Deputetët e PDK në Parlamentin e Kosovës

PDK për herë të parë pas shumë vitesh ka dalë në opozitë nga zgjedhjet e 6 tetorit, ku u radhit si partia e tretë, pas LVV-së dhe LDK-së.

Më 26 dhjetor janë betuar deputetët e rinj të legjislaturës së shtatë, ku është zgjedhur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe nënkryetarët.

Kjo seancë konstituive megjithatë u mbajt pa votimin për Qeverinë e re të Kosovës. LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.

Madje, të premten Kurti i kishte refuzuar dy kërkesa për takim me Thaçin në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Por, sot, Albin Kurti tha se i takon LDK-së ta përcaktojë datën e formimit të Qeverisë, duke premtuar intensifikim të kontakteve me këtë parti.