Foto: PDK

Këshilli Drejtues i PDK zgjodhi Kryesinë e re të partisë

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, gjatë të cilës janë zgjedhur anëtarët e Kryesisë së partisë.

Në këtë takim, siç njofton PDK, kryetari Kadri Veseli ka vlerësuar vlerën e procesit të brendshëm zgjedhor dhe ka thënë se PDK-ja do të ketë barrën e përgjegjësisë së madhe për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj besimin në shtet dhe institucione.

“Ne si forcë politike, kemi vlera, histori dhe krenari në shtetformim dhe shtetndërtim, andaj nuk do të ndalemi së punuari për shtetin, qytetarin dhe vlerat euro-atlantike”, ka theksuar ndër të tjera Kadri Veseli.

Pas debatit të anëtarëve të Këshillit Drejtues, ku ishin të pranishëm 118 anëtarë, u propozuan 25 anëtarët e Kryesisë së PDK-së të cilët do t’i prijnë kësaj force politike në katërvjeçarin e ardhshëm.

Anëtarë të Kryesisë së PDK-së janë: Kadri Veseli, Abelard Tahiri, Bajrush Xhemaili, Bedri Hamza, Betim Gjoshi, Blerta Deliu, Donjet Bislimi, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu, Fehmi Mujota, Floretë Zejnullahu, Hajredin Kuçi, Ilir Kurtishi, Luljeta Veseli-Gutaj, Memli Krasniqi, Migjen Kelmendi, Muzafer Shala, Safete Hadërgjonaj, Sami Lushtaku, Shaqir Totaj, Uran Ismaili, Valdete Idrizi, dhe Xhavit Haliti.

Votimi pro ishte me shumicë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, ndërsa vendet e tjera vakante sipas statutit të partisë do të plotësohen në ndërkohë.