Kryeprokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së ministrit Sveçla për aksionin në Shtërpcë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me aksionin e sotëm në shtërpcë, që ka të bëjë me keqpërdorimet e dyshuara gjatë ndërtimit të shtëpizave të vikendit në Brezovicë.

Sipas njoftimit, Lumezi ka thënë se hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike.

“Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Prokuroria mirëkupton vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit.

“Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit  për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë”, thuhet në njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar sot pas arrestimit të dhjetë personave të cilët dyshohen se janë të përfshirë në ndërtimet e objekteve në Brezovicë.

Ministri Sveçla ka shkruar se aksioni është zhvilluar suksesshëm ndaj krimeve me ndërtimet.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka thënë Sveçla.

Në këtë aksion janë arrestuar dhjetë persona, 12 lokacione janë kontrolluar, tetë nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona janë nga rajoni i Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni është ndalur ish-kryetari i Shtërpcës, drejtori aktual i Urbanizmit, inspektorë komunalë, disa qytetarët për shkak të dyshimit të veprës penale – keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe dhënie të ryshfetit.

Sveçla: Aksioni në Brezovicë nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara