Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sveçla: Aksioni në Brezovicë nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të dhjetë personave, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në ndërtimet e objekteve në Brezovicë.

Ministri Sveçla ka shkruar se aksioni është zhvilluar suksesshëm ndaj krimeve me ndërtimet.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka thënë Sveçla.

Në këtë aksion janë arrestuar dhjetë persona, 12 lokacione janë kontrolluar, tetë nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona janë nga rajoni i Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni është ndalur ish-kryetari i Shtërpcës, drejtori aktual i Urbanizmit, inspektorë komunalë e disa qytetarë, për shkak të dyshimit për  veprat penale – keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe dhënie të ryshfetit.