Kryeprokurori : Aksioni i mbrëmshëm është rezultat i punës 1 vjeçare dhe nuk ka lidhje me askënd

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku ka folur lidhur me dy aksione të mbrëmshme të kësaj prokurorie që kishin për qëllim shkatërrimin e rrjetit të kazinove dhe skemave piramidale.

Maloku në konferencë tha se ky operacion do të vazhdojë edhe më tej.

“Ky aksion është  organizuar me urdhër të  Prokurorisë  së  Gjilanit ku  janë  arrestuar 35 të  dyshuar, 12 zyrtarë policorë , pronar të  kazinove e të  tjera. Prokuroria e Gjilanit ndaj tyre do të  kërkojë  masën për sigurimin e të pandehurve në  procedurën penale. Policia ka konfiskuar aparatura dhe kanë  rrënuar të  gjitha kazinotë  në  atë zonë. Ky operacion do të vazhdojë edhe më tej sepse ka edhe persona të  tjerë  të  dyshuar”, ka deklaruar Maloku.

Sipas Malokut, aksioni i mbrëmshëm ka qenë  rezultat i një  punë  afër 1 vjecare dhe nuk ka pasur të  bëjë  me deklaratat e askujt.

“Hetimi ka filluar për shkak të  pretendimeve se në  atë  pjesë  janë  zhvilluar aktivitete nga grupe kriminale. Ne kemi pasur vëzhgim gati 1 vjecar që  zhvillohet në  kë të  pjesë  të  Kosovës dhe më  gjerë  prandaj kjo është  në dorën tonë  dhe e kemi bërë  kur e kemi vlerësuar bashkërisht me sektorë  të  tjerë, Policinë  dhe IPK dhe kur ne kemi vendosur kohën më  të  përshtatshme të  godasim këtë  zonë , këto grupe kriminale. Prandaj kjo nuk ka kurrë farë lidhje me askënd përveç se ne kemi punuar qe një  vit dhe e kemi zgjedhur këtë  kohë  për goditjen e tyre”, ka shtuar ai.

Në  lokacionin e mbrëmshëm, Karaçevë janë  rrënuar të  gjitha objektet ku ka qenë  duke u zhvilluar aktiviteti kriminal i kazinove, ndërsa janë  konfiskuar qindra aparate e armë .

Aksioni i filluar në orën 5 pasdite  zgjati deri në mëngjesin e sotëm. Një aksion tjetër ishte zhvilluar edhe në Prishtinë.

Përveç Karaçevës, mbrëmë u zhvillua aksion edhe në Prishtinë

Në Karaçevë u arrestuan gjithsej 12 zyrtarë policorë