FOTOGALERI: Shkatërrimi i rrjetit të kazinove në Karaçevë

Zona neutrale e Karaçevës sot u zgjua mes rrënojash të kazinove që vepronin kundërligjshëm tash e sa kohë.

Në një aksion 11 orësh Prokuroria e Gjilanit së bashku me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës kanë tërhequr qindra aparate të kazinove ndërsa prapa kanë lënë 12 objekte të rrënuara.

Cak i operacionit të Prokurorisë së Gjilanit ishin bizneset e kazinove dhe grupet e policëve kufitar të cilët kanë toleruar kontrabandën dhe aktivitetet kriminale nga ajo zonë.

Deri më tani në operacion janë arrestuar 10 policë dhe mbi 15 pjesëtarë të grupeve të kontrabandës.

Rrjeti i kazinove në zonë ishte hapur pas vendimit të ish-qeverisë Haradinaj për mbylljen e lojërave të fatit në Kosovë.

Trekëndëshi i Karaqevës ishte identifikuar si zonë neutrale në mes Kosovës dhe Serbisë ku policia nuk kishte qasje për të vendosur rregullin.

Zona  e lirë brenda pak muajsh është shndërruar në një shesh ndërtimi ku ishin ndërtuar 12 objekte dhe vendosur qindra aparatura të lojërave të fatit.

Grupet e kazinove janë të lidhura edhe me policët e arrestuar mbrëmë të cilët po ashtu janë duke u hetuar edhe për kontrabandim me mallra në zonën kufitare.

 

Karaçevë – 18.09.2020