Hoti flet pas operacionit në Karaçevë: Ky është vetëm fillimi i kthimit të normalitetit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas operacionit të mbrëmshëm në Karaçevë për prishjen e një rrjeti kazinosh.

Sipas Hotit, ky operacion  është dëshmi që institucionet e Kosovës mund të ofrojnë rend dhe ligj për të gjithë Republikën.

Tutje Hoti ka falënderuar akterët që morën pjesë në këtë operacion, ndërsa përfundoi duke thënë se ky ka qenë vetëm fillimi i kthimit të normalitetit në çdo fushë.

“Operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës. U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Zona neutrale e Karaçevës sot u zgjua mes rrënojash të kazinove që vepronin kundërligjshëm tash e sa kohë.

Në një aksion 11 orësh Prokuroria e Gjilanit së bashku me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës kanë tërhequr qindra aparate të kazinove ndërsa prapa kanë lënë 12 objekte të rrënuara.

Cak i operacionit të Prokurorisë së Gjilanit ishin bizneset e kazinove dhe grupet e policëve kufitar të cilët kanë toleruar kontrabandën dhe aktivitetet kriminale nga ajo zonë.

Deri më tani në operacion janë arrestuar 10 policë dhe mbi 15 pjesëtarë të grupeve të kontrabandës.

Rrjeti i kazinove në zonë ishte hapur pas vendimit të ish-qeverisë Haradinaj për mbylljen e lojërave të fatit në Kosovë.

Trekëndëshi i Karaqevës ishte identifikuar si zonë neutrale në mes Kosovës dhe Serbisë ku policia nuk kishte qasje për të vendosur rregullin.

Zona  e lirë brenda pak muajsh është shndërruar në një shesh ndërtimi ku ishin ndërtuar 12 objekte dhe vendosur qindra aparatura të lojërave të fatit.

Grupet e kazinove janë të lidhura edhe me policët e arrestuar mbrëmë të cilët po ashtu janë duke u hetuar edhe për kontrabandim me mallra në zonën kufitare.

FOTOGALERI: Shkatërrimi i rrjetit të kazinove në Karaçevë