Kryeministri pagën rreth 1,400 euro, në bankë i ka të gatshme vetëm 119 euro

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë për vitin e kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas AKK-së, është “varfëruar” nga viti që shkoi.

Kurti ka deklaruar se para të gatshme në bankë ka 119.58 euro, përderisa një vit më herët kishte thënë se ka 401 euro.

Edhe këtë vit, Kurti tek pasuritë e paluajtshme ka deklaruar apartamentin në Oslo të Norvegjisë prej 67 metrave katrorë në vlerë 400 mijë euro. Siç është përshkuar në formularin e pasurisë, kjo pronë është në emër të bashkëshortes, e blerë përmes kredisë.

Sipas deklarimit në AKK, Kurti gjithashtu ka për obligim edhe qiranë mujore të shtëpisë në vlerë prej 250 euro.

Tek të ardhurat vjetore, kreu i ekzekutivit ka deklaruar pagë mbi 16 mijë e 600 euro, përderisa nuk ka të deklaruar mëditje.