Albin Kurti në SHBA - Foto: ZKM

Kryeministri Kurti takoi senatorë e kongresistë amerikanë

Kryeministri Albin Kurti është duke vazhduar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Sipas njoftimeve nga Qeveria ai sot ka zhvilluar takime me senatorë e kongresistë amerikanë.

Kurti u prit në takime të ndara nga kongresistët Mondaire Jones, Rober Aderholt, Jim Himes; Lisa McClain dhe Ritchie Torres.

Gjatë këtyre takimeve, Kurti ka theksuar angazhimin e Qeverisë dhe përparimin në luftimin kundër krimit dhe korrupsionit, duke veçuar ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.

Kurti u takua edhe me senatorët Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis.

“Duke pasur parasysh potencialin e Kosovës dhe interesimin e qeverisë për të mbështetur sektorin e Teknologjisë së Inovacionit, Senatori Tillis, e ftoi kryeministrin Kurti që të konsiderojë për mundësi bashkëpunimi edhe shtetin e Karolinës së Veriut (North Caroline) që ka rritjen me të shpejtë në industrinë bioteknike.  Senatorja Shaheen dhe senatori Tillis falënderuan edhe një herë Kosovën dhe institucionet e saj për rreshtimin me botën demokratike në dënimin e agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe kryeministrin Kurti për lidershipin e treguar me rastin e strehimit të afër 1500 qytetarëve afganë të evakuuar në Kosovë” thuhet në komunikatën e Qeverisë.