Mbledhja solemne e Qeverisë - 17.02.2024

Kryeministri Kurti: Qoftë e fortë gjithmonë Republika jonë, ne i dalim zot

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen solemne të mbajtur për nderë të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17.02.2024, tha se Kosova është shtëpia e të gjithëve.

Ai para kabinetit të tij qeveritar theksoi se 25 vite pas luftës Kosova qëndron e fortë, dhe është shtet i pavarur dhe demokratik.

“Sot festojmë 16-vjetorin e shtetit tonë, republikës sonë. Ne vijmë nga një betejë çlirimtare, ne i mbijetuam gjenocidit të fundit në shekullit 20-të, me mbështetjen e aleatëve tanë ne ndërtuam shtëpitë tona”- tha kryeministri Kurti.

“Një çerekshekulli pas luftës ne qëndrojmë të fortë, Kosova është shtet i pavarur demokratik… Kosova ishte, është dhe do të jetë shtëpi për të gjithë. Urime të gjithëve, pavarësia e Kosovës, shtëpisë sonë të përbashkët”.

Tutje kryeministri Kurti tha se sot kujtojmë secilën jetë të dhënë për Kosovën.

“Të dashur qytetarë, teksa festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, kujtojmë secilën jetë të dhënë për Kosovën… u jemi mirënjohës atyre që kontribuan për shtetin tonë. Mirënjohje aleatëve ndërkombëtar. Qoftë e fortë gjithmonë republika jonë, ne i dalim zot”- tha Kurti.

 

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.