Foto: ZKM.

Kryeministri Kurti pret në takim një delegacion të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot një delegacion të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit Amerikan, korporatave e kompanive të ndryshme amerikane të kryesuar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur se gjatë këtij takimi është biseduar për rëndësia e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sipas ZKM-së, Kurti i ka njoftuar miqtë amerikanë për progresin ekonomik të vendit, edhe përkundër vështirësive të shkaktuara nga COVID-19, kriza energjetike dhe inflacioni si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Si histori e dyfishtë e suksesit, e intervenimit të suksesshëm ndërkombëtar në pranverën e vitit 1999 dhe e bashkëdyzimit të demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik, Kosova është një histori në të cilën ia vlen të investohet” – citohet të ketë thënë kryeministri Kurti gjatë takimit.

Po sipas ZKM-së, përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe deklaroi gjatë takimit se vizita e këtij delegacioni është në frymën e partneritetit, partneritet ky që është i fortë ndërmjet ShBA-ve dhe Kosovës dhe me prioritet për ShBA-të.

ZMK bën të ditur se kompanitë amerikane Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë. Përfaqësuesit e këtyre kompanive sipas njoftimit, prezantuan punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, e të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor.

Foto: ZKM.

 

Foto: ZKM.