Kryeministri Kurti për vdekjen e Kadaresë: Humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Përmes një reagimi në Facebook, kryeministri Kurti ka thënë se me vdekjen e Kadaresë ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave.

“Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë”- ka shkruar Kurti.

“Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka vdekur në mëngjesin e sotëm (01.7.2024) në moshën 88 vjeçare në Tiranë.

Ismail Kadare është autori më i njohur i letërsisë shqipe dhe shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhët e huaja.

Kadare u lind më 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës së Letërsisë në Universitetin e Tiranës.