
Kryeministri Haradinaj intervistohet nga policia
Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditën e djeshme është intervistuar nga Policia e Kosovës.
Haradinaj është intervistuar në lidhje me vrasjen e vëllaut të tij Enver Haradinaj, i vrarë ende në rrethana të panjohura në prill të vitit 2005 në rrugën Pejë – Deçan.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Me urdhëresë të prokurorit të shtetit Policia e Kosovës në cilësinë e palës së dëmtuar, e ka intervistuar personin që ju po i referoheni, për shkak të vrasjes së vëllaut të tij, vite më parë. Prokuroria Themelore e Pejës është duke i marrë të gjitha masat e nevojshme ndriqimin e kësaj vepre penale”, ka thënë Nikçi për KALLXO.com.
Në kohën e vrasjes së Enver Haradinajt, Ramush Haradinaj ka qenë në Hagë, në qendrën e paraburgimit, pasi Tribunali i Hagës për krime lufte i kishte ngritur aktakuzë nga e cila ishte liruar vite më pas.