Kriza në Ukrainë: Gjermania e ndalon miratimin e gazsjellësit Nord Stream 2

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të martën se Gjermania ka ndërmarrë hapa për ta ndalur procesin e certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia.

Ai u tha gazetarëve në Berlin se qeveria e tij po e ndërmerr këtë vendim si përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

“Kjo tingëllon teknike, por është hapi i nevojshëm administrativ, kështu që nuk mund të ketë certifikim të gazsjellësit dhe pa këtë certifikim, Nord Stream 2 nuk mund të fillojë të funksionojë”, tha Scholz.

Scholz bën thirrje për një “qasje të koordinuar”

Kancelari gjerman e cilësoi njohjen nga presidenti rus Vladimir Putin të territoreve separatiste në Ukrainën lindore si “të pajustifikuara dhe të pakuptueshme.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, Scholz tha se Moska duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.

“Tani i takon komunitetit ndërkombëtar t’i përgjigjet këtij veprimi të njëanshëm, të pajustifikuar dhe të pakuptueshëm të ndërmarrë nga presidenti rus. Ne duhet ta koordinojmë qasjen tonë … në mënyrë që t’i dërgojmë një sinjal të qartë Moskës se aktivitetet e këtij lloji nuk mund të mbeten pa pasojat”.

Pse është diskutabil gazsjellësi Nord Stream 2?

Ndërtimi i projektit të gazsjellësit ka përfunduar, por projekti kishte ende nevojë për certifikim rregullator nga autoritetet gjermane përpara se gazi të mund të shpërndahej.

Gazsjellësi ka qenë një burim grindjesh me SHBA-në, të cilat kanë shprehur shqetësimin se rrit varësinë evropiane nga Rusia për nevojat e saj energjetike.

Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk do të kishte asnjë shans që projekti të realizohej nëse tanket dhe trupat ruse e kalojnë kufirin me Ukrainën.

Nord Stream 2 do ta dyfishonte sasinë e gazit që rrjedh nga Rusia në Gjermani dhe do ta anashkalonte Ukrainën, për shkak të rrjedhës së saj përgjatë shtratit të Detit Baltik./DW