Kriza në Lindje të Mesme - Hamasi po e studion propozimin e ri të armëpushimit

Udhëheqja e Hamasit po e studion një propozim të ri për një armëpushim dhe lirim të pengjeve nga Gaza, në atë që konsiderohet si nisma më serioze e paqes në muajt e fundit.

Ndërkohë që dalin në pah detajet e armëpushimit, analistët kanë paralajmëruar se mbeten boshllëqe të mëdha në qëndrimet publike të palëve ndërluftuese mbi atë që do të duhej për t’i ndalur luftimet qoftë edhe përkohësisht.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se ka vendosur se si t’i përgjigjet një sulmi me dron në një bazë shërbimi amerikan të dielën që vrau tre anëtarë personeli të shërbimit amerikan dhe ka plagosur dhjetëra në Jordani. Presidenti amerikan nuk ka dhënë detaje mbi vendimin e tij, por tha se nuk po kërkon një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. SHBA mund të zgjedhë për një përgjigje të shkallëzuar që përfshin “veprime të shumta”, ka thënë zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje armëpushimi që kërkon largimin e trupave izraelite nga Gaza ose lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë duke thënë se lufta në Gaza nuk është “një raund tjetër” me Hamasin dhe ai nuk do ta përfundojë atë pa i arritur qëllimet e Izraelit.

Egjipti, Katari dhe SHBA shpresojnë të shohin nëse Izraeli dhe Hamasi mund të binden të pranojnë një armëpushim që zgjat të paktën një muaj, i cili do të ofronte mundësinë për lirimin e pothuajse të gjithë pengjeve. Propozimi, i përshkruar si një kornizë, u miratua gjatë bisedimeve në Paris. Zbulimet sugjerojnë se faza e parë e armëpushimit të propozuar do të përfshijë lirimin e rreth 35 pengjeve, duke përfshirë gra civile, burra të moshuar dhe pengje që janë të sëmurë ose të plagosur, në këmbim të një pauze gjashtë-javore të luftimeve. Faza e dytë do të fokusohej tek ushtarët meshkuj dhe femra dhe në fazën e tretë do të liroheshin trupat e pengjeve të vdekur.

Gjithsej 26,751 palestinezë janë vrarë dhe 65,636 janë plagosur nga aksioni ushtarak izraelit në Gaza që nga 7 tetori, sipas shifrave të fundit nga ministria e shëndetësisë e Gazës të martën. Shifrat përfshijnë 114 palestinezë të vrarë dhe 249 të plagosur në 24 orët e fundit. Izraeli pretendon se ka vrarë rreth 9,000 luftëtarë armik ndërsa ka humbur 221 nga forcat e veta në fushatën tokësore brenda territorit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar donatorëve që të mos i pezullojnë fondet për agjencinë palestineze të OKB-së për refugjatët UNRWA pasi Izraeli i akuzoi disa nga punëtorët e saj se morën pjesë në sulmin e 7 tetorit të Hamasit. “Ndërprerja e fondeve do ta dëmtojë vetëm popullin e Gazës, të cilët kanë nevojë dëshpërimisht për mbështetje”- tha zëdhënësi i OBSH-së Christian Lindmeier në një konferencë në Gjenevë të martën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala