Ilustrim, Foto: Pixabay

Kriza energjetike: 690 euro një megavat në bursën hungareze

Një megavat energji elektrike sot mund të blihet për 690 euro në bursën hungareze. Ndërsa në periudhën e njëjtë, vitin e kaluar një megavat është blerë për rreth 115 euro.

Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index, çmimi i energjisë gjatë ditëve të fundit është rritur.

Dje, një megavat është blerë për 748 euro ndërsa më 29 gusht çmimi ka qenë 731 euro.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mos prodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.

Sipas të dhënave në fillim të muajit, kapaciteti i prodhimit të energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës është rreth 504 megavatë ndërsa kërkesa për konsum është rreth 750 megavatë, një dallim prej 246 megavatë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë disa ditë më parë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.

“Qeveria ndau mjete buxhetore për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe miratoi vendimin në lidhje me zotimin e ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e konsumatorëve, në vlerë 41 milionë euro” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, kjo ndarje është për periudhën shkurt-korrik 2022.