Pashkët në Kosovë. Foto: VOA

Kremtimet e Pashkëve në Kosovë

Pashkët po kremtohen edhe në Kosovë me thirrjet për paqe dhe pajtimit ndërmjet njerëzve.

Në meshën e Ringjalljes që u mbajt në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji bëri thirrje për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve në mënyrë që siç tha të gjithë të bashkuar të mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, për të gjithë.

Me thirrjet për paqe dhe pajtim ndërmjet të gjitha komuniteteve edhe në Kosovë po kremtohen Pashkët, që simbolizojnë ringjalljen e Krishtit.

Manifestimi qendror me rastin e kësaj festeje me Meshën e Ringjalljes u mbajt në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, bëri thirrje për paqe dhe pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve në mënyrë që siç tha të gjithë të bashkuar të mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, për të gjithë.

“Mos të hezitojmë që këtë natë t’i lutemi Zotin tonë për hirë të popullit, të gjithë të bashkohemi në lutje në Zotin krijues për paqen në mes nesh, për paqen në vendin tonë, për paqen dhe pajtimin mes popujve ashtu që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe pajtimi shqiptarëve dhe serbëve të mund të ngadhëjejë që të gjithë të bashkuar të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, për të gjithë sepse toka nuk na takon vetëm neve, as e ardhmja nuk na takon vetëm neve, i takon të gjithëve të bijve të Hyjit”, tha Ipeshkvi Gjergji.

Ipeshkvi Dodë Gjergji, tha se mesazhi i Pashkëve ka në thelb thirrjet për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë. Ai ftoi besimtarët të tregojnë dashuri ndaj njeri-tjetrit.

Udhëheqës politikë e fetar kanë përgëzuar qytetarët e krishterë duke vënë theksin në thelbin e kësaj kremteje që qëndron në vepra të mira, solidaritet e bashkëpunim ndërmjet njerëzve.

Pashkët paraqesin kremten më të madhe të kalendarit liturgjik të të krishterëve që shënojnë ringjalljen Krishtit sipas Besëlidhjes së Re, kishte ndodhur tri ditë pas kryqëzimit të tij./VOA