Krejt çka u tha në Forumin e Dubrovnikut, në të cilin fjalimi i Gërvallës u kritikua shumë

Fjalimi i ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, është kritikuar nga disa politikanë në Kosovë.

Madje fjalimi i saj ngjalli edhe reagime të përfaqësuesve të SHBA-së dhe të BE-së në këtë forum, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.

Në hyrje të fjalimit të saj, Gërvalla tha se Kosova është unike sepse 90% e popullsisë së saj janë mbështetës të BE-së dhe të NATO-s.

Ajo gjithashtu përmendi ‘arritje’ sa i përket indeksit antikorrupsion, duke thënë se Kosova është ngritur për 20 pozita në dy vitet e fundit.

“Nga 40% në vitin 2021, në 80% në vitin 2023,  të qytetarëve tanë thonë dhe e ndjejnë se jetojnë nën sundimin e ligjit. Ju nuk keni dëgjuar shumë për këtë, por ne jemi duke e bërë punën tonë, duke mbështetur sundimin e ligjit. Dhe mendoj se ne duhet të bëjmë më shumë për sundimin e ligjit, e jo që të flasim shumë për të” – tha ajo.

“Ne jemi rreshtuar 100% përkrah Perëndimit për të mbështetur Ukrainën, ndërsa të tjerët në rajonin tonë janë duke asistuar Rusinë në agresionin e saj, që dy vjet tashmë, pa asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian”.

Tutje, Gërvalla tha se pyetja thelbësore që duhet të bëhet, sipas saj, është se a mundet Bashkimi Evropian që të garantojë sigurinë e paqes në Evropë. Ajo tha se sipas vlerësimit të saj, BE-ja nuk mundet.

Gërvalla deklaroi se BE-ja pa Amerikën dhe NATO-n është një ‘tigër prej letre’ në termat e sigurisë.

“Arsyet janë të dukshme. Sepse nuk ka vullnet politik. Ka shumë përqarje në këtë bashkësi dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe të NATO-n, Bashkimi Evropian është një tigër prej letre në termat e sigurisë” – tha Gërvalla.

Sipas saj, nuk ka një qendrim të ri të fuqive të Evropës Perëndimore dhe është i ngjashëm sikur në vitet 2014, 1991 apo 1999.

“Nuk ka ndonjë storie suksesi të Evropës, për të tentuar që të parandalojë ndonjë luftë.Ajo që ne po e themi, është se duhet një strategji e re dhe njerëz të ri që të gjejnë një rrugë më të mirë. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk po përpiqemi që të përdorim Bashkimin Evropian si ‘lopë të parave’. Ne jemi më shumë për vlerat evropiane sesa për paratë evropiane” – deklaroi Gërvalla në forum.

Por deklaratat e ministres Gërvalla nxitën reagimin e Miroslav Lajçak, i cili tha se edhe pse Bashkimi Evropian është larg të qenurit perfekt,  sipas tij, është bashkësia më e mirë që mundet Evropa ta ketë.

Lajçak deklaroi se nuk ka një bashkësi në botë, që ka siguruar më shumë stabilitet politik, zhvillim ekonomik e kohezion social.

“Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së” – tha ai.

Tutje, Lajçak u shpreh se Ballkani Perëndimor që para 20 viteve e ka premtimin që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian, por sipas tij, rezultatet janë larg ideales dhe pritshmërive.

“Në këto 20 vite vetëm Kroacia i është bashkuar BE-së dhe procesi i zgjerimit ka humbur dinamikën dhe energjinë. Është e qartë se diçka duhet të bëhet. Do të thosha me ironi se agresioni rus në Ukrainë ka sjellur efekt pozitiv dhe mirëkuptim në anën e BE-së, ne kemi një punë të papërfunduar në Ballkan dhe ne duhet të jemi serioz. Zgjerimi është rikthyer në lojë, zgjerimi është kthyer në qendër të vëmendjes dhe BE e kupton se pa anëtarësim të plotë të partnerëve në Ballkanin Perëndimor, Europa nuk do të jetë e kompletuar, nuk do të jetë e lirë dhe nuk do të jetë ‘lojtar global’ siç pretendon të jetë” – tha Lajçak.

Forumi i Dubrovnikut

Në anën tjetër, i dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se politika e SHBA-ve në Ballkan ka qenë në mënyrë konsistente që nga vitet e ’90-ta.

Ai tha se politika e tyre mbështetet në disa shtylla dhe një ndër to është integrimi evropian. Dhe këtu, tha Escobar, ka disa dallime me palën kosovare.

“Më vjen keq që dallojë këtu me kolegen time nga Kosova, por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan në gjeneratat e fundit, ka qenë kombinim i BE-së dhe SHBA-së. Integrimi është aspirata më e lartë për rajonin, ata janë evropianë, historikisht, financiarisht, kulturalisht ata duhet të jenë pjesë e ‘klubit’. Cdo shtet që i bashkohet BE-së do të jetë më demokratik, më stabil dhe më i suksesshëm” – tha Escobar në këtë Forum.

Sipas tij, edhe pse disa argumentojnë se Bashkimi Evropian ka dështuar,  zgjerimi ka qenë një nga zhvillimet më pozitive të kësaj gjenerate.

Tutje, Escobar pati kritika edhe për lidershipin e disa shteteve të Ballkanit, por që nuk përmendi me emra.

Ai tha se disa vende vazhdojnë të kenë lidership që besojnë se populizmi, nacionalizmi dhe rivaliteti etnik janë rruga përpara.

“Duket se rajoni është ‘i ndarë’ në dy pista. Njëra pistë është për ata që janë në NATO dhe janë më stabil dhe sigurisht në rrugën e integrimit evropian. Dhe pista tjetër është për ata që janë duke konsumuar vëmendjen dhe burimet e pjesës tjetër të rajonit, që janë në vështirësi nga sfidat e veta. Diferenca është se shtetet që janë në NATO kanë bërë progres të madh, që kanë tejkaluar sfidat etnike. Dhe të tjerët që vazhdojnë të kenë lidership që beson se populizmi dhe nacionalizmi dhe rivaliteti etnik janë rruga përpara, janë ata që kanë më shumë sfida” – tha në fund Escobar.

Në anën tjetër, fjalimi i Gërvallës nxiti reagime në Kosovë.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka konsideruar papërgjegjësi e injorancë deklaratën e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Kurse zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka cilësuar të mjerë dhe të rrezikshme gjendjen diplomatike të Kosovës.

Sibel Halimi pas deklaratës së Gërvallës: Gjendja diplomatike e Kosovës e mjerë dhe e rrezikshme