Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Raportet mes Kosovës dhe SHBA-së kanë marrë një goditje nga qasja e qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e degëve të PDK-së, për të diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike në vend, për vizitën zyrtare që do të ketë javën e ardhshme në Uashington dhe në Bruksel si dhe për zgjedhjet në Rininë Demokratike të Kosovës.

Sipas Krasniqit, raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, “kanë marrë një goditje” nga qasja dhe sjellja e qeverisë aktuale.

“Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket qartë që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë aktuale”- citohet të ketë thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka prishje të marrëdhënieve me ShBA-në dhe se sipas tij, asnjë veprim i Qeverisë nuk i ka befasuar zyrtarët amerikanë apo evropianë.

“A do ta dëgjoni Amerikën, a po prishemi me Amerikën? Nuk ndodhin këto gjëra, nuk kemi ne këso raporte me SHBA siç e përshkruani ju si gjyshi me nipin. Asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian. Ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me ta. SHBA-në i kemi miq dhe partnerë”- ka deklaruar Kurti javën e kaluar.

Ndërsa, në komunikatën për media të PDK-së bëhet e ditur se kreu i partisë, Memli Krasniqi deklaroi se gjatë qëndrimit në dy kryeqendrat botërore do të ketë takime me zyrtarë të niveleve të larta të diplomacisë dhe politikës amerikane e evropiane.

“Kryetari Krasniqi tha se të hënën dhe të martën do të zhvillojë takime në Bruksel me një sërë euro-parlamentarësh, por po ashtu do të takojë edhe ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak”.

Tutje, potencohet se Krasniqi më pas do të vazhdojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për tri ditë rresht në Uashington DC dhe do të takojë përfaqësues në Kongres, në dy dhomat, Senat dhe Dhomën e Përfaqësueseve.

Po ashtu, kryetari Krasniqi tha se në Uashington do të takohet edhe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa do të ketë takim edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“E konsideroj tepër të rëndësishme këtë vizitë, veçanërisht në kohën që po ndodh sepse raportet tona me SHBA kanë rëndësi të veçantë. Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket qartë që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë aktuale. Unë atje do të shpreh qëndrimet e PDK-së sa i përket zhvillimeve aktuale politike në vend dhe rajonin tonë. Por pa dyshim se interesat dhe objektivat kryesore të Kosovës do të jenë si pikë kryesore e diskutimeve që ne do të kemi”- tha ai.

Në komunikatë më tej potencohet se kryetarët e Degëve e kanë informuar kryetarin e PDK-së për procesin e filluar për zgjedhjet e Rinisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kanë theksuar se platforma e lansuar për regjistrimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor rinia2022.org po tregohet shumë efikase, ku të rinjtë e të gjitha qyteteve të Kosovës do të trajtohen barabartë në garë.