Krasniqi: Kurti po e vendos Kosovën në hartë me vendet e sanksionuara si Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një shkrimi nw Facebook ka deklaruar se Kurti me politikën e tij po i sjell Kosovës sanskione nga aleatet duke e vënë në hartë me vende të sanksionuara si Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srspka në Bosnje dhe Hercegovinë.

Krasniqi shtoi se përpos izolimit nga jashtë, po e keqeverisë nga brenda, duke e vështirësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve.

“Pas përjashtimit të Ushtrisë së Kosovës nga stërvitja e NATO-s, “Defender Europe 23”, tani edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar një sërë sanksionesh për vendin tonë, si pasojë e një qeverie aventuriere, e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente.Me veprimet e tij, ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska” – ka shkruar Krasniqi nw Facebook.

Ai përmendi edhe sfidat që kaloi Kosova për ndërtim të institucioneve të cilat u bënë në koordinim me aleatët, në krye me SHBA-të.

“Tash e mbi dy vjet të qeverisjes nga Albin Kurti, përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë të jetës, Kosova po përjeton edhe sanksione nga miqtë e saj”- shtoi me tej Krasniqi.

Sipas tij, nga vizitat në teren kanë biseduar me qytetarë të cilët janë shprehur të shqetësuar me gjendjen në Kosovë.

“Unë kam zhvilluar takime edhe në Prishtinë me përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, me akterë të jetës publike, me përfaqësues të mediave, përfaqësues të sektorëve të arsimit e shëndetësisë dhe të shumë sektorëve të tjerë, të cilët janë të brengosur me këtë mentalitet autokratik të qeverisjes dhe me izolimin ndërkombëtar që po e pëson vendi ynë”- ka shkruar  Krasniqi.

Kryetari i PDK-së ka potencuar se Kosova nuk mund të mbetet peng i tekeve të Kurtit.

“Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”- ka shkruar në Facebook Krasniqi.