Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Krasniqi: Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e thellë për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.
Sipas PDK-së, ky aksion tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione.
“Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”- ka thënë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e policëve të rrëmbyer.
“Qeveria e Kosovës të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershem të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë”- ka thënë tutje ai.
Sipas PDK-së, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.
Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Tutje në njoftim thuhet se me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion.