KQZ ia huq datës, vendos 13 majin si afat për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta

Më 6 tetor të këtij viti, pritet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Për t’u mundësuar të gjithë qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka ofruar mundësi votimi edhe për personat me nevoja të veçanta që për rrethana specifike nuk mund të shkojnë në vendvotim.

Mirëpo data e fundit në të cilën mund të regjistrohen kjo kategori e votuesve në mënyrë që të kenë mundësinë e votimit nga shtëpia është 9 deri më 13 maj të vitit 2019.

Në Web-Faqen e KQZ-së, janë listuar 6 kategori të personave me nevoja të veçanta, duke filluar nga të sëmurit deri tek personat që për shkaqe të sigurisë nuk mund të dalin për të votuar. Për të gjitha këto kategori, afati i fundit për tu regjistruar është 9 deri më 13 maj.

“Personat që përkasin në këtë kategori duhet të regjistrohen për këtë shërbim. Regjistrimin mund ta bëni brenda afateve të caktuara, duke ndjekur hapat në vijim”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Qytetarët të cilët në kushte anonimiteti kanë raportuar në KALLXO.com, këtë veprim të KQZ-së e kanë konsideruar si ‘keqpërdorim me votuesit’.

“Do ta rregullojmë së shpejti. Akoma nuk ka filluar periudha zgjedhore në fjale, për çfarë do të kemi informim më të detajuar” ka thënë për KALLXO.com, Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së.

Tutje Elezi ka sqaruar se periudha për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile fillon me 25 shtator dhe përfundon më 1 tetor.