Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ: Mbi 10 mijë mërgimtarë me të drejtë vote për balotazh

Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë së janë 10 mijë mërgimtarë që kanë të drejtë vote për balotazh.

‘’Në zgjedhjet për balotazh që mbahen të drejtë vote kanë 10 mijë e 220 qytetarë’’, thotë Elezi.

Ai po ashtu është shprehur se të drejtë për të votuar për balotazh për kryetarë të komunave e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat do të ketë zgjedhje.

Elezi po ashtu është shprehur se nuk do të ketë periudhë të re për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

‘’Nuk do të ketë periudhë të re për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës sepse vlen lista e votuesve e raundit të parë të cilët janë regjistruar gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021’’, thotë Elezi.

Afati i fundit kur duhet të pranohen fletëvotimet është 12 nëntor 2021.

“Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 12 nëntor 2021”, është shprehur Elezi.

Po ashtu është bërë e ditur edhe numri i votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë për rundin e dytë: Gjakovë (1,089), Drenas (175), Gjilan (607), Dragash (1,090), Istog (707), Kaçanik (166), Klinë (437), Fushë-Kosovë (135), Kamenicë (442), Obiliq (60), Rahovec (382), Podujevë (337), Prishtinë (666), Prizren (921), Shtime (116), Viti (754), Vushtrri (174), Malishevë (714), Junik (1,054), Mamushë (192) dhe Kllokot (10).

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor.

Ndërsa, në 21 komuna do të ketë rreth të dytë të votimeve për kryetarë të komunave.

Balotazhi mbahet më 14 nëntor.