KQZ ka pranuar afër 3 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime jashtë Kosovës

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së tha se që nga 15 shtatori e deri më 12 tetor KQZ-ja ka pranuar gjithsej 3 mijë e 481 pako të supozuara me fletëvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht është në periudhën e votimit jashtë Kosovës, periudhë e cila ka filluar me 15 shtator dhe do të përfundoj më 15 tetor.

Sipas Ahmetajt, pakot janë marr nga Posta e Kosovës dhe posta të tjera. Ai tha se “Pakot do të pranohen deri më 15 tetor deri në orën 23:59”.

Gjithashtu Ahmetaj tha se ka filluar edhe regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta të cilat janë ndarë në tri kategori.

“KQZ ka rishikuar dhe vlerësuar të gjitha të dhënat. Në kategorinë e parë votues me nevoja të veçanta janë rreth 1 mijë e 835 votues, në kategorinë e dytë votues në institucione janë 1,429, në kategorinë e tretë votues me rrethana të veçanta janë 28”, tha ai duke shtuar se numri total i votuesve për këto kategori është 3 mijë e 292.

Ahmetaj ka treguar se ka përfunduar printimi i listës përfundimtare të votuesve dhe se ka filluar procesi i shtypjes së formularëve zgjedhor, duke shtuar se është finalizuar numri i ekipeve mobile.

“Gjithë votuesit me nevoja të veçanta dhe votuesit e infektuar me COVID parashihet që të jenë 194 ekipe mobile”, tha Ahmetaj.